“Marrëveshja për migrantët Shqipëri-Itali në pajtim me Kushtetutën”       / Foto: ATA

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka dhënë dritën jeshile marrëveshjes që lejon Italinë të ndërtojë qendra të pranimit të emigrantëve në territorin shqiptar.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të hënën se marrëveshja ishte "në përputhje me kushtetutën" dhe tha se tani mund të vazhdojë të ratifikohet në Kuvend.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë me shumicë votash vendosi deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi”, thuhet në njoftim.

Vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, ashtu si edhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare.

Dy qendra përpunimi

Sipas skemës së shpallur në nëntor, Italia si anëtare e BE-së do të hapte dy kampe përtej detit Adriatik në Shqipëri, e cila nuk është anëtare e BE-së.

Një kamp do t'i kontrollonte migrantët në momentin e mbërritjes dhe një i dytë do t'i ndalonte ata derisa të shqyrtohen kërkesat për azil, kanë thënë zyrtarët.

Më pas, migrantët ose do të lejohen të hyjnë në Itali ose do të riatdhesohen, ka thënë kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se vendi i tij e ndien për detyrë të ndihmojë Italinë për shkak të marrëdhënieve të veçanta mes dy vendeve dhe mënyrës se si Italia priti qindra mijëra shqiptarë në vitet 1990 pas rënies së komunizmit.

TRT Balkan / agjencitë