Mbahet konferenca mbi kreditimin e sektorit bujqësor në Shqipëri. / Foto: AA

Qeveria e Shqipëria dhe Banka Qendrore e Shqipërisë kanë organizuar tryezën e diskutimit me temë “Kreditimi i sektorit bujqësor” me pjesëmarrjen e institucioneve të ndryshme.

Në hapje të aktivitetit ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe bankave.

Sipas organizatorëve, aktiviteti synon për të hedhur një vështrim të ri mbi pengesat që has kreditimi i sektorit bujqësor dhe për t'i identifikuar rrugët dhe instrumentet e duhura për adresimin e tyre.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se kanë vendosur një objektiv tejet ambicioz që në Shqipërinë 2030 eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliard euro.

"Sot jemi mbi 500 milionë euro eksporte dhe ndërkohë kishim pak më shumë sesa 100 milionë euro kur kemi marrë detyrën dhe arritja e objektivit prej 1 miliardë eurosh kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, një fuqi të shtuar të fermerëve dhe kjo fuqi e shtuar do të vijë përmes investimeve dhe përmes rritjes së volumit të sipërmarrjes në fshat. Nga ana tjetër, është e domosdoshme për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Europian sfida e konkurrencës dhe sfida e përshtatjes me rregulla dhe standarde edhe më të larta është një sfidë shumë e madhe", tha Rama.

Kryeministri Rama shtoi se kanë shumë nevojë edhe për dijen në raport me konkurrueshmërinë në tregje, duke shtuar se do të stimulojnë platformat inovative duke përdorur sa më shumë teknologjinë. Rama u shpreh ndër të tjera se agroturizmi është një tjetër prioritet.

“Sot kurorëzojmë në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë”, tha Rama.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, me qeverinë si garante do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm dhe inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

TRT Balkan / agjencitë