Mbahet në Prishtinë forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë / Photo: AA

Ka filluar punimet dyditore Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në Prishtinë më 15 dhe 16 prill.

Në këtë forum, ku nikoqire është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, janë të pranishëm rreth 500 pjesëmarrës nga 33 shtete, me qëllim të bashkëpunimit për siguri e paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se lufta për drejtësi për gratë nuk është punë e vetëm një misioni a forumi, por është mision i jetës.

Ajo tha se nuk mund që në raste të tilla të mos i përmendë gratë nga e gjithë bota të cilat po kalojnë në konflikte.

"Këto gra të kapura në mes të një përplasjeje të vazhdueshme durojnë vështirësi të paimagjinueshme, duke humbur shtëpitë, duke humbur të dashurit e tyre, duke humbur jetët. Megjithatë, mes kaosit ka një shpirt që mbetet i pathyer. Ato luftojnë të palodhura për mbijetesë, ato luftojnë për të mbrojtur të tjerët, familjet e tyre, ato luftojnë për vendet e tyre dhe, më e rëndësishmja, ato luftojnë për liri", theksoi Osmani.

Osmani tutje tha se edhe gratë në Kosovë kanë mbijetuar në kohët më të dhimbshme dhe se "rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë".

Presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc-Musar tha se mirëpret themelimin e Qendrës Rajonale për Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Pirc-Musar shprehu shqetësimin për gjendjen e grave në mbarë botën, të cilat u bënë refugjate për shkak të konflikteve të luftës. Ajo iu referua veçanërisht krizës së luftës në Ukrainë dhe Rripin e Gazës, duke theksuar se gratë në Gaza humbën pothuajse gjithçka: paqen, sigurinë, strehimin, ushqimin, ujin dhe mijëra prej tyre humbën jetën.

Presidentja sllovene deklaroi se vendi i saj ka një politikë të jashtme feministe dhe se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të gjitha problemet shikohen nga perspektiva e barazisë gjinore.

"Dikur në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë, sot në Ukrainë dhe Gaza: nuk jam e bindur se kjo lloj taktike do të zhduket. Ne duhet të jemi të përkushtuar dhe nuk duhet të humbasim kurrë shpresën dhe të jemi të vendosura kur bëhet fjalë për krimet kundër grave dhe burrat duhet të na ndihmojnë në këtë përpjekje", theksoi presidentja sllovene.

Presidenti i Shqipërsië, Bajram Begaj, theksoi se Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitar i konflikteve të përgjakshme, që kanë lënë "shenja të paharrueshme mbi tokat tona dhe zemrat tona" dhe do të qëndrojnë në kujtesën tonë historike përgjithmonë.

"Gratë kanë qenë cak i dhunës dhe torturës si dhe subjekt spastrimit etnik. Këto konflikte na shërbejnë si kujtues të dhimbshëm të çmimit të paguar kaq shtrenjtë, veçanërisht nga gratë. Sot jemi bërë bashkë në Kosovë për të ritheksuar përkushtimin tonë ndaj bashkëpunimit e progresit dhe zhvillimit të qëndrueshëm që janë me rëndësi për nxitjen e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor", ka deklaruar Begaj, i cili shtoi se gratë sot përfshihen në mënyra të ndryshme në jetën politike, biznesit dhe në shoqërinë civile.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se si vend aktiv anëtar i NATO-s, Maqedonia e Veriut mbështet zbatimin e politikës për gratë, paqen dhe sigurinë.

Ai tha se është e padiskutueshme që çështjet gjinore në Maqedoninë e Veriut në masë të madhe po fitojnë hapësirë dhe po bëhen prioritete përmes reformave që Qeveria filloi t’i zbatojë në vitin 2017 dhe para anëtarësimit të plotë në NATO.

"Për paqen konsiderohet se është proces i vazhdueshëm për të cilin duhet të punohet, e jo një qëllim që duhet arritur. Edhe unë pajtohem me këtë teori dhe mbi të njëjtën e barazoj edhe barazinë gjinore në siguri", theksoi Xhaferi.

Tema kyç e edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është dhuna seksuale gjatë luftës.

TRT Balkan / agjencitë