Në konferencën përgatitore për rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-anëtarëve tjerë të UÇK-së, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë.
Në këtë konferencë ZPS-ja ka deklaruar se nuk ka ndërmend të zvogëlojë akuzat në këtë moment kohor derisa ka shtuar se synon të paraqesë prova lidhur me çdo vend të pretenduar krimi.
Nga ana tjetër, turpi gjykues edhe një herë ka shprehur shqetësimin lidhur me kohën që ka kërkuar prokuroria për çështjen e saj, që arrin deri në 700 orë.
Kryetari i turpit gjykues, Charles L Smith, ka thënë se i kanë kërkuar prokurorisë të shqyrtojë me kujdes mundësinë e zvogëlimit të çështjes së saj.
Ai ka shtuar se trupi gjykues është i mendimit se 700 për pyetjet e dëshmitarë të ZPS-së është kohë e shumtë.
“Kemi shpreh mendimin tonë se 700 orë për pyetjet e dëshmitarëve të ZPS-së është pak e shumtë si kohë, paneli nënvizon rëndësinë e kufizimit të dëshmitarëve, provave të panevojshme dhe përsëritëse. Dëshmitarët konfirmues duhet të thërriten vetëm kur konfirmimi është i rëndësishëm për argumentet e ZPS-së dhe provat shkresore duhet të lidhen drejtpërdrejt me akuzat dhe jo të paraqiten për të zgjeruar kontekstin a për të shpjeguar rrethanat e përgjithshme. Prova të tilla duhet të anashkalohen”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Kryetari i trupit gjykues ka thënë se paneli ka kompetencë të kufizojë numrin e dëshmitarëve, kohën e prokurorisë për paraqitjen e provave, të shkurtojë gjatësinë e pyetjeve dhe të ftojë prokurorinë që të kufizojë numrin e vendeve të krimit a krimeve të pretenduara.
Megjithatë, ka shtuar ai, paneli planifikon t'i besojë prokurorisë dhe t’i lejojë asaj të paraqesë çështjen ashtu siç e sheh të arsyeshme derisa paneli e rezervon të drejtën e vet për të ndërhyrë nëse është e domosdoshme për të garantuar drejtësi, shpejtësi dhe rregull në këtë proces.
Tutje, Smtih ka thënë se në bazë të parashtrimit, ZPS-ja ka 312 dëshmitarë derisa ka pyetur prokurorinë nëse synojnë të largojnë ndonjë dëshmitarë nga lista.
Lidhur me këtë, prokuroria ka thënë se do të vazhdojnë me rishikimin e listës së dëshmitarëve dhe paraqitjes së provave dhe gjatë procesit do të shikojnë nëse është e nevojshme të largohet ndonjë dëshmitar.
Prokuroria ka deklaruar se planifikojnë të thërrasin 188 dëshmitarë në lidhje me krimet e pretenduara, 110 për strukturën e UÇK-së, 63 për sjelljet e të akuzuarve si dhe 37 për elementet kontekstuale penale.
Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është planifikuar të fillojë më 1 mars në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.