Në Podgoricë u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi, me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh mes dy vendeve, ku më e rëndësishmja është ajo për ndërtimin e urës në lumin Buna.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë më shumë sesa fqinjësore.
“Ne takohemi në një moment shumë sfidues për mbarë Europën dhe vendet tona dhe, në këtë kontekst, përveç sfidave të drejtpërdrejta, vlera e kësaj ngrohtësie dhe vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe”, tha Rama.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nga ana tjetër tha se nga Podgorica u dërgua një mesazh i bukur, ai i bashkëpunimit për të ardhmen e përbashkët që do të bazohet në zhvillimin ekonomik. Ai veçoi projektin për ndërtimin e urës mbi Bunë si më të rëndësishmin që do të zhvillohet mes dy vendeve.
“Kryeministri Rama ndërmori disa hapa për të mundësuar lëvizjen e papenguar mbi lumin Buna. Pas Luftës së Dytë Botërore ndaloi kjo linjë lundrimi mes Ulqinit dhe Shkodrës. Ne duam të rivendosim këtë linjë mes Malit të Zi dhe Shqipërisë pas 70-80 viteve”, deklaroi Abazoviq.
Sipas tij, ndërtimi i kësaj ure do të shërbejë edhe për zhvillimin e turizmit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Mes dy qeverive u nënshkruan edhe disa marrëveshje e memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.