Gjatë ditës së djeshme u mbyllën qendrat e votimit në të gjitha vendet e rajonit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Türkiyes, në përjashtim të Shqipërisë ku po vazhdon votimi edhe sot.
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë marrë pjesë në procesin e votimit në Ambasadën e Türkiyes në Prishtinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Prizren më 21 maj nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 22:00.
Sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Türkiyes (YSK), në Kosovë janë të regjistruar gjithsej 2.192 qytetarë me të drejtë vote të cilët patën mundësi të votojnë.
Pjesë e procesit të votimit është bërë gjatë ditës edhe ambasadori i Republikës së Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale të Ambasadës publikoi fotografi duke votuar.
Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve nga Kosova ka qenë 48,54 për qind.
Pas përfundimit të procesit të votimit, votat, sikurse në raundin e parë, do të barten në mënyrë të sigurt nga Kosova për në Istanbul me fluturimin e planifikuar të Turkish Airlines dhe nën vëzhgimin e përfaqësuesve politikë me të drejtë pjesëmarrjeje.
Po ashtu, edhe në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Türkiye për shtetasit turq që banojnë ose punojnë në vend.
Qytetarët turq me të drejtë vote nga 20 maji deri më dje, 21 maj, nga ora 08:00 deri në orën 22:00 kanë votuar në Ambasadën e Türkiyes në Shkup.
Sipas të dhënave të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Türkiyes (YSK), në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 4.107 votues turq.
Qytetarët e Republikës së Türkiyes në Bosnjë e Hercegovinë kanë votuar më 20 dhe 21 maj në Ambasadën e Republikës së Türkiye në Sarajevë nga ora 08:00 deri në orën 22:00.
Shtetasit turq në Serbi kanë votuar në Ambasadën e Republikës së Türkiyes në Beograd më 21 maj nga ora 08:00 deri në orën 22:00.
Ndërsa votuesit turq në Mal të Zi e kanë realizuar të drejtën e votës më 20 dhe 21 maj në qendrën e votimit në Ambasadën e Republikës së Türkiyes në Podgoricë nga ora 08:00 deri në orën 22:00.
Qytetarët e Türkiyes me të drejtë vote do të mund të votojnë edhe në pikat kufitare nga data 20 deri më 28 maj.
64,11 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet në Republikën e Türkiyes.
Qendrat e votimit jashtë Türkiyes do të jenë të hapura në 73 shtete dhe 151 përfaqësi të këtij vendi. Më shumë se 3,41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë. Në rrethin e parë të zgjedhjeve jashtë Türkiyes votuan mbi 1,7 milion shtetas turq.
Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Türkiye është caktuar të mbahet të dielën, më 28 maj, pasi asnjë nga kandidatët nuk fitoi shumicën e thjeshtë në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtur më 14 maj.
Në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale turke garojnë presidenti aktual turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili fitoi 49,51 për qind të votave në raundin e parë dhe lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, i cili mori 44,89 për qind të votave në raundin e parë.
Aleanca e Popullit e Erdoğanit e udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet fitoi shumicën në parlamentin e shtetit në raundin e parë.