Ministri turk i Mbrojtjes në Kosovë, flitet për komandën e KFOR-it / Foto: AA

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur me ceremoni solemne në takim ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Türkiyes, Yaşar Güler, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Pas takimit, dy ministrat kanë mbajtur konferencë për media, ku janë vlerësuar lart marrëdhëniet midis dy shteteve në fushën e mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se Türkiye ka qenë dhe vazhdon të mbetet partner strategjik për Republikën e Kosovës. Ai tha se bashkëpunimi midis Kosovës dhe Türkiyes është ndërtuar mbi shtylla të forta të parimeve dhe besimit reciprok dhe si i tillë duhet të vazhdojë të thellohet.

"Në këtë aspekt me theks të veçantë kam kërkuar nga ministri Güler mbështetje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe dhe kam theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO si rrugë që garanton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor", theksoi Maqedonci.

Ai gjithashtu falënderoi Türkiyen për mbështetje përgjatë fazave të zhvillimit të ushtrisë kosovare dhe për realizimin e marrëveshjeve për blerje të pajisjeve ushtarake që “kanë përmbushur nevojat tona të furnizimit të përcaktuara sipas objektivave tona".

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Türkiyes, Yaşar Güler, përcolli përshëndetjet e presidentit turk Erdoğan, duke vlerësuar se marrëdhëniet me Kosovën, si partner në Ballkan, vazhdojnë të jenë shumë të qëndrueshme në të gjitha fushat. Ai tha se vizitat dhe takimet e nivelit të lartë kontribuojnë në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vëllazërore dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes.

"Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, bashkimin me institucionet euroatlantike si dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Në kuadër të kësaj patëm një bisedë shumë të dobishme dhe pozitive me ministrin. Ne theksuam faktin se duke filluar nga Kosova, paqja dhe siguria në Ballkan ka një rëndësi të madhe për ne", tha Güler.

Ministri Güler theksoi se dialogu është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në këtë rajon.

"Kjo nënvizohet me faktin se ne morëm detyrën e komandës së KFOR-it, të cilën duam ta realizojmë me neutralitet dhe transparencë të plotë", tha Güler. Ai tha se hapat konkretë të ndërmarrë nga Kosova kundër organizatës terroriste FETO, e cila është një rrezik edhe për Kosovën, do të rrisin edhe më shumë bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve.

Ministri turk Güler u prit në takim edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ndërsa gjatë ditës do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani.

AA