Ministri i Tregtisë i Türkiyes, Ömer Bolat, është takuar në Shkup me ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, raporton Anadolu.
Ministri Bolat, i cili arriti sot në Shkup për të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Maqedoni e Veriut dhe për takime zyrtare, zhvilloi takimin e parë me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Mucunski.
Në një postim në llogarinë e tij në X pas takimit, Bolat tha: "Gjatë takimit tonë, ramë dakord që të zgjerojmë fushëveprimin e Marrëveshjes ekzistuese të Tregtisë së Lirë. Ne dëshirojmë ta rrisim vëllimin tonë të tregtisë dypalëshe dhe investimet e ndërsjella me Maqedoninë e Veriut, të cilën e shohim si një nga partnerët tanë të rëndësishëm në Ballkan".
"Në këtë kontekst, kompanitë tona të ndërtimit, të cilat kanë përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, janë të gatshme të marrin pjesë në projekte infrastrukturore dhe zhvillimore që lidhen me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Türkiye është gjithashtu e gatshme ta thellojë bashkëpunimin e saj me Maqedoninë e Veriut në fusha të tilla si industria e mbrojtjes, digjitalizimi në dogana dhe fusha që janë të lidhura ngushtë me botën tonë të biznesit", shkroi ai.
Pas takimit kokë më kokë, ministri Bolat zhvilloi takim midis delegacioneve me Mucunskin.