Ministri turk i Tregtisë pritet në takim nga kryeministri i RMV-së Mickoski / Photo: AA

Ministri i Tregtisë i Türkiyes, Ömer Bolat, i cili ndodhet për vizitë në Maqedoninë e Veriut, u prit në një takim nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Ministri Bolat, i cili arriti sot në Shkup për të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Maqedoni e Veriut dhe për takime zyrtare, zhvilloi takim me Mickoskin në ndërtesën e Qeverisë.

Bolat dhe Mickoski gjatë takimit u shoqëruan nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi.

Në një postim në llogarinë e tij në X pas takimit, Bolat shkroi: "Gjatë takimit tonë, diskutuam për investimet e kompanive turke në Maqedoninë e Veriut dhe dëshirën e tyre për të marrë pjesë në projekte të reja, synimin tonë për rritjen e vëllimit të tregtisë dypalëshe dhe hapat që do t'i forcojnë më tej lidhjet mes shoqërive tona".

Ai tha se në takimin e sotëm me kompanitë turke të ndërtimit, me pjesëmarrjen e kryeministrit Mickoski do të diskutohen të gjitha aspektet e bashkëpunimit në projektet infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut.

"Si Türkiye, ne vazhdojmë të zhvillojmë në mënyrë të gjithanshme marrëdhëniet tona, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, sigurinë, tregtinë dhe turizmin, duke i kushtuar rëndësi të madhe stabilitetit të Maqedonisë së Veriut", tha ai.

- Bolat takohet me ministrin e Ekonomisë dhe të Punës, Besar Durmishi

Në kuadër të vizitës së tij në vend, ministri Bolat më pas u takua me ministrin e Ekonomisë dhe të Punës të Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, në ndërtesën e Ministrisë.

Bolat shoqërohet nga një delegacion dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.

Më herët, Bolat realizoi takim me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Mucunski.

AA