Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës u ka bërë thirrje mërgimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës që të shmangin lëvizjen përmes territorit të Serbisë.
Kjo thirrje e ministrisë vjen pasi gjatë ditës u bë e ditur se në afërsi të Lozicës në Serbi u vra një polic serb dhe i dyshuar për këtë rast, sipas autoriteteve të Serbisë, është një shtetas kosovar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në reagim.
MPJD-ja tha tutje se për këtë rast po i ndjek zhvillimet nga afër përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës", thuhet në reagim.
Në Lloznicë, qytetin perëndimor të Serbisë në kufi me Bosnjë e Hercegovinën, në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër u plagos rëndë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë ditës tha se vrasja e një zyrtari policor në Lloznicë dyshohet të jetë akt terrorist, derisa Policia serbe është ende në kërkim të sulmuesit.
Sipas Ministrisë së Brendshme serbe në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizi, i lindur më 1991, si dhe një dokument tjetër identifikimi i lëshuar nga Gjermania.