Sipas tyre, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar në disa pika kufitare, përfshirë atë Kroaci-Serbi, në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
Qytetarët e Kosovës duhet të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, thotë Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Disaporës e Kosovës, pasi një numër i madh i shtetasve të Kosovës janë ndaluar në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. “Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën”, thuhet në apelin e MPJD-së të Kosovës. Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, siç njofton MPJD-ja janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Sipas tyre, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
“Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Mes të tjerash, ata thonë se pas veprimeve arbitrare të Serbisë i kanë njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe institucionet tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejt. “Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vetë presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë ministria.
Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ata bëjnë thirrje që të ndiqen njoftimet e Policisë së Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.