Me një minutë heshtje për viktimat e masakrës së djeshme në një shkollë fillore në Beograd, ka filluar edicioni i dhjetë i festivalit "Mirëdita, dobar dan", i cili këtë vit po mbahet në Prishtinë.
Qëllimi i festivalit është që me takimet e komuniteteve sociale dhe kulturore, serbe dhe kosovare, të iniciojë ndryshimet dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi që do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Kushtrin Koliqi, Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Integra, Kushtrin Koliqi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se festivali "Mirëdita, dobar dan" u themelua në vitin 2014.
“Pas gati një dekade, përfshirë edhe sfidat politike, ne po vazhdojmë të punojmë me të njëjtin synim. Pavarësisht situatës jo të mirë, respektivisht marrëdhënieve aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, festivali 'Mirëdita, dobar dan' mbetet një nga platformat e pakta që ofron hapësirë për promovim dhe shkëmbim kulturor dhe dialog për çështje dhe tema që nuk diskutohen ndryshe apo edhe kur diskutohen, keqpërdoren”, tha Koliqi.
Koliqi tha se e kuptojnë që ka çështje politike dhe historike të rrënjosura thellë që po vazhdojnë të krijojnë ndarje midis dy shoqërive, por tha se “besojmë se shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor mund të jetë një mjet i fuqishëm për promovimin e pajtimit dhe ndërtimin e një të ardhmeje paqësore”.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës "Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi", Sofja Todoroviq, tha se nuk ka familje në këtë rajon që nuk bart traumë të humbjes së pasqaruar, por ajo tha se "nëpërmjet dhimbjes ndonjëherë mund ta shohim më qartë sepse vuajtja ka fuqi për t'i afruar njerëzit".
“Tragjedia e djeshme na ka shtyrë të gjithëve të shikojmë thellë brenda vetes dhe të përafrojmë edhe më shumë ato që i çmojmë me një bashkëndjesi të sinqertë me ata që janë prekur nga ky akt i dhunës i cili ndodhi për herë të parë në rajon, në Beograd. Ky rajon është i lidhur me lidhje të pashkëputshme, prandaj sot, më shumë se kurdoherë, kemi nevojë të qëndrojmë krah për krah njëri-tjetrit”, tha Todoroviq.
Festivali “Mirëdita, dobar dan” ka dy programe: atë të debateve dhe programin kulturor. Festivali do të zgjasë deri më 6 maj.