Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë tashmë i mbushi një vit të plotë. Zyrtarisht gjykimi nisi më 3 prill të vitit 2023, me leximin e aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë kryer krime lufte. Pjesa dërrmuese e seancave gjyqësore gjatë kësaj periudhe kanë qenë të mbyllura për opinionin.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, më 29 prill dhe më 30 shtator 2022. Versioni i aktakuzës me më pak redaktime, e cila është në fuqi aktualisht, u dorëzua në shkurt të këtij viti.
Sipas Dhomave të Specializuara, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në ketë proces gjyqësor. Kundër ish-krerëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë mbi 300 dëshmitarë të prokurorisë. Rrëfimet e tyre parashihen të marrin së paku dy vjet kohë. Ndërsa vetëm për të përmbyllur çështjen e prokurorisë është thënë se do të duhen deri në 5 vjet e gjysmë. Kjo periudhë është konsideruar e gjatë nga ekipet mbrojtëse, ndërsa trupi gjykues i kishte kërkuar prokurorisë të reduktojë këtë numër.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.