Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) kanë zhvilluar protestë para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë dhe kushte të tjera.
Përveç këtij njësiti që protestuan të veshur në uniformë, në protestë u bashkëngjitën edhe njësite të tjera policore, ndërsa, po ashtu, në mbështetje u ka dalë edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.
Njëri nga pjesëtarët e këtij njësiti tha se kërkesat që po paraqesin janë me prioritet dhe duan trajtim me një afat kohor sa më optimal.
“Kërkesat e Policisë janë: Përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi siç janë veshmbathje, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore, duke pasur parasysh se disa objekte dhe automjete dhe pajisje të tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë. Nën dy, rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe të mos varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar. Si dhe kërkojmë që shtesa e rrezikshmërisë në punë të jetë 25 deri 50 për qind e pagës bazë”, theksoi ai.
Tutje, ata kërkuan edhe rregullimin e çështjes së pensionimit të pjesëtarëve të njësitit special me 55 vjeç, sigurim jetësor, shujta ditore, mbulim të shpenzimit të udhëtimit për ata që udhëtojnë për në punë, e të tjera.
Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës kishte protestuar edhe më 1 nëntor të këtij viti, derisa kishin paralajmëruar edhe një protestë tjetër së shpejti, por ajo u anulua pasi kryeministri Albin Kurti i ftoi në takim. Qeveria e Kosovës pas protestës së parë të tyre kishte miratuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por ato nuk dolën të jenë të kënaqshme për ta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i prezantoi më 27 tetor shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të ndara në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë njoftoi se “shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”.