Miodrag Miliçeviq nga organizata Aktiv nga veriu i Mitrovicës tha se "situata e rëndë brenda komunitetit serb sjell vështirësi në funksionimin e medieve dhe shoqërisë civile".
Përfaqësues të disa organizatave joqeveritare nga komuniteti serb në Kosovë kanë dalë me një qëndrim të përbashkët në lidhje me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës të cilat sipas tyre "paraqesin shkelje flagrante të lirisë së mediave dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj shoqërisë civile".
Në konferencën për medie të mbajtur në Prishtinë ishin të pranishëm përfaqësues të "Qendrës për Paqe dhe Tolerancë", të Radio Gorazhdevcit, Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, Iniciativa e Re Sociale, Komunikimi për Zhvillim të Shoqërisë dhe përfaqësues nga organizata Aktiv.
Miodrag Miliçeviq nga organizata Aktiv nga veriu i Mitrovicës tha se arsyet kryesore për mbajtjen e kësaj konference janë bastisjet e fundit të Policisë së Kosovës në zyrën e "Qendrës për Paqe dhe Tolerancë" në Prishtinë dhe në Radio Gorazhdec, objektet e së cilës janë në të njëjtin objekt me institucionet serbe për komunën e Pejës.
Ai thotë se "situata e rëndë brenda komunitetit serb sjell vështirësi në funksionimin e medieve dhe shoqërisë civile dhe rezulton me largimin masiv të serbëve nga Kosova".
"Si shoqëri në përgjithësi, ne kemi një problem vërtet të madh se si të ruajmë komunitetin dhe si të vendosim disi lidhjet tashmë të prishura jo vetëm me institucionet, por edhe me një pjesë të popullatës shumicë shqiptare", tha Miliçeviq.
Vlladan Trifiq nga "Qendra për Paqe dhe Tolerancë" tha se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me spekulimet e tij të pabaza që bëhet fjalë për veprimtari spiunazhi në këtë organizatë, u ka vënë shënjestër në ballë të gjithë punonjësve të kësaj qendre".
Ai i bëri thirrje ministrit Sveçla dhe të gjitha medieve që i fryjnë edhe më shumë deklaratat e tij që të kërkojnë falje publike për deklaratat e pavërteta.
"Pretendimet e pasakta dëmtojnë jo vetëm reputacionin e organizatës sonë, por vendosin një objektiv në ballin e të gjithë punonjësve tanë dhe sjellin frikë dhe trazira jo vetëm te ne, por edhe te familjet tona. Nëse kjo nuk ndodh për shtatë ditë, ne do të detyrohemi t'ua kalojmë këtë çështje avokatëve për zgjidhje", ka thënë Trifiq.
Jovana Radosavljeviq nga Iniciativa e Re Sociale tha se Qeveria e Kosovës duhet të adresojë urgjentisht statusin dhe formalizimin e Asociacionit ë Komunave me shumicë serbe dhe të ndalojë të gjitha lëvizjet e tjera që synojnë pengimin e punës së institucioneve serbe në Kosovë.
Më 31 janar autoritetet shtetërore të Kosovës bastisën hapësirat e organizatës joqeveritare serbe "Qendrës për Paqe dhe Tolerancë" mbi aktivitetin e saj të dyshimtë. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se Departamenti i organizatave joqeveritare në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka konfirmuar se organizata "Qendra për Paqe dhe Tolerancë" në Prishtinë nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e organizatave joqeveritare.
Gjithashtu, më 2 shkurt, ministri Sveçla mori pjesë në aksionin policor ku u mbyllën komunat ilegale paralele serbe në rajonin e Pejës: në Gorazhdec, Osojan, Istog dhe në Videjë.