Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, i pamundur pa ndihmën e ShBA-së.     /Foto: AA

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim ndihmëssekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të ShBA-së, Todd D. Robinson.

Pas takimit, presidentja Osmani dhe Robinson kanë mbajtur konferencë për media ku u vlerësua bashkëpunimi mes dy vendeve.

Presidentja Osmani tha se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur që Byroja Ndërkombëtare për Narkotik dhe Sundim të Ligjit i ka ofruar Kosovës përgjatë viteve. Ajo ka thënë se mbështetja e ShBA-së për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor, derisa njoftoi edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në Interpol.

"Në takim me ndihmëssekretarin po ashtu e informova për synimin strategjik të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Interpol, anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së. Ky anëtarësim do të kontribuonte thelbësisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike për secilin qytetar të Republikës tonë pa dallim. Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol janë kriminelët", theksoi Osmani.

Ajo tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me ShBA-në.

Robinson ka deklaruar se ShBA-ja do ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institucione jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit. Ai shtoi se po punojnë për një të ardhme më të mirë për të gjithë kosovarët.

"Porosia ime për ju të gjithë do të ishte që ShBA-ja është këtu për t'iu mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institucione jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një kosovar më të mirë por edhe për një kosovar më të sigurt dhe transparent", ka thënë ai.

Robinson do të qëndrojë në Kosovë nga 20 deri më 22 mars. Sipas njoftimit të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, Robinson me të arritur në Kosovë është ndalur në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë, për të diskutuar rolin e bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.

TRT Balkan / agjencitë