Osmani: Banda të mbështetura nga Vuçiqi synojnë destabilizimin e Kosovës / Photo: AA

Presidentja Osmani ka potencuar se "këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë"

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Charles Fries.

Siç njofton Presidenca e Kosovës, Fries është shoqëruar nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it Lars-Gunnar Ëigemark.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian (BE), me ç'rast presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e vendit të saj për integrimin euroatlantik.

"Në veçanti, presidentja ka informuar Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshin edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Zëvendëssekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës", thuhet në njoftim.

Mes të tjerash, në njoftim u bë e ditur se Osmani dhe Fries kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

"Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë", theksohet nga Presidenca.

Presidentja Osmani, sipas njoftimit, ka vënë theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme.

AA