Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që çdo vendim për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë të koordinohet me aleatët e Kosovës.
Gjatë vizitës së saj në komunën e Vitinës, Osmani tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë qenë kundër hapjes së urës, por kërkojnë koordinim dhe vlerësime të sigurisë.
“Në takimet e mia me ShBA-në nuk është thënë asnjëherë se janë kundër hapjes së urës. Përkundrazi, janë pro zbatimit të marrëveshjes nga Brukseli që parashikon hapjen e urës. Por, si me çdo temë të sigurisë, institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë po kërkojnë dhe i kërkojnë Kosovës që të ulen së bashku dhe të punojnë së bashku në një plan zbatimi që merr parasysh vlerësimet e sigurisë të Kosovës dhe aleatëve tanë, si dhe në shumicën e rasteve ata janë identike dhe se në bazë të kësaj përcaktohet një moment më i favorshëm që hapja e urës të jetë një sukses afatgjatë”, ka theksuar Osmani.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ajo tha se ura është mbyllur për arsye thjesht politike dhe sigurisht që duhet të hapet, por kur të hapet të mbetet e hapur dhe jo që kur të hapet të shkaktojë një prani të shtuar të NATO-s në urë.
Osmani nuk ka dashur të komentojë deklaratat e zyrtarëve evropianë se hapja e urës duhet të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Ajo tha se Serbia nuk pyetet për hapjen e urës në territorin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës se hapja e urës kryesore në Ibër në Mitrovicë është e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme për të gjithë dhe se do të vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët.
Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka deklaruar vazhdimisht se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. KFOR-i u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe negociatori kryesor në dialog, Besnik Bislimi, tha se hapja e urës në Ibër nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë, sepse për këtë çështje ka një marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Hapja e urës është paraparë me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është nënshkruar në vitin 2015 në Bruksel.
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore në Ibër nuk janë të vërteta dhe janë mashtruese. Lajçak ka theksuar në platformën X se BE-ja vazhdimisht ka përsëritur se çështja e hapjes së urës duhet të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai vlerësoi se vendosja e vendimeve kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve.
Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë është mbyllur për qarkullim që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe mund të kalohet vetëm në këmbë. Në Mitrovicë janë edhe dy ura të tjera që lidhin pjesën me shumicë jugore shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serbe të qytetit, të cilat janë të hapura për qarkullim.