Osmani: Kosova dhe SHBA-ja së shpejti do të finalizojnë dialogun strategjik /         Foto: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëroi se Kosova dhe ShBA-ja së shpejti do ta finalizojnë dialogun strategjik.

Presidentja Osmani priti sot në një takim në Prishtinë zv/sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma.

Në një deklaratë në median sociale pas takimit, Osmani tha se gjatë takimit me zyrtarin amerikan i është konfirmuar se së shpejti do të bëhet finalizimi i dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve.

“Pas propozimit që i kam dërguar ShBA-së, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin (Antony) Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendëssekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka thënë Osmani.

Ajo e quajti këtë zhvillim si “lajm të shkëlqyeshëm” për Kosovën, duke theksar se kjo është “një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për qeverinë amerikane për mbështetjen e vazhdueshme dhe të hapur ndaj bashkëpunimit.

Ekipet e ShBA-së dhe Kosovës, shtoi ajo, së shpejti do të takohen për ta finalizuar marrëveshjen për dialogun strategjik që do të mbulojë fusha shumë të rëndësishme me interes për qytetarët e Kosovës.

AA