Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën solemne për nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.
Në këtë seancë mori pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, deputetë, ambasadorë të vendeve të huaja, prijës të bashkësive fetare, kryetarë komunash dhe të ftuar të tjerë.
Presidentja Osmani në fjalën e saj në seancën solemne tha se 17 shkurti sa është datë unike dhe është edhe e veçantë në rrafshin emocional, e cila bashkon në kauzën e dashurisë për Republikën dhe përpjekjeve për ta ngritur lart emrin e saj.
Përkundër vështirësive shekullore, tha Osmani, Kosova rezistoi dhe mbajti kokën lartë për t’u përulur sot “para brezave që dhanë jetën për lirinë e saj”.
Duke folur për çështjen e sigurisë, Osmani tha se Kosova gjatë shtatorit të vitit të kaluar reagoi ndaj agresionit shtetëror serb në Banjskë të Zveçanit me vendosmëri dhe se reagimi ndaj Serbisë “do të jetë çdo herë i tillë”.
“Le të jetë e qartë, prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë në qershor të vitit 1999 kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë. Në mëngjesin e 24 shtatorit djemtë dhe vajzat tona në uniformë kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për të mbrojtur e mbajtur të lirë vendin e tyrë. Ata kanë dëshmuar se atdhedashuria është virtyt dhe virtyti kërkon edhe sakrificë. Me sakrificën e tyre e përkushtimin ndaj atdheut ata dëshmuan se Kosova është dhe do të mbetet e lirë, sovrane dhe e zonja që së bashku me aleatët e saj ta mbajë të palëkundur paqen në rajon”, theksoi Osmani.
Presidentja tha se heroi Afrim Bunjakum që ra në detyrë më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe kolegët e tij i dhanë kuptim motos së sivjetme të përvjetorit të 16 të pavarësisë “Kosovë, ne të dalim zot”.
Presidentja Osmani tha se Kosova ka vizion familjen euroatlantike dhe nuk do të reshtë së punuari në këtë drejtim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosovën, shtetin që sot mbush 16 vjet pavarësi, e kanë pjekur para kohe kryengritjet për bashkimin e vilajeteve për bashkimin e Shqipërisë dhe pushtimet dhe gjenocidet e njëpasnjëshme.
Kurti tha se më 2008 nuk kishte mbetur më asnjë dilemë te bashkësia ndërkombëtare që Republika e Kosovës do të vinte.
Ai tha se në rast që Serbia shtetërore do të ishte ndjerë sadopak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, ajo do të duhej ta kishte njohur Kosovën qysh nga viti 2008.
“Ne nuk e negociojmë ekzistencën tonë, lirinë tonë dhe të drejtën tonë për t’u mbrojtur e zhvilluar prandaj përditë si Qeveri e Kosovës marrim masa për të ndërtuar shtetin ligjor, për të forcuar demokracinë dhe llogaridhënien, për të përfshirë dhe ndihmuar të gjithë qytetarët, pavarësisht prej etnisë apo gjinisë së tyre”, theksoi Kurti.
Më tej, kryeministri kosovar tha se Serbia ka zgjedhur rrugën e konfrontimit, derisa edhe sot ajo vazhdon të refuzojë miratimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se për të lindur shteti i Kosovës “ne duruam shumë dhe gjatë”, deri kur bota demokratike “u bind se ne kemi të drejtë”.
“Kur bota e pa se ne si popull më parë e japim jetën për liri se nënshtrohemi ndaj Serbisë dhe kur bota e kuptoi se lufta jonë çlirimtare është e pastër, na ndihmoi për ta larguar okupatorin”, theksoi Konjufca.
Në sheshet e Prishtinës tashmë janë vendosur flamuj shtetërore të Kosovës, derisa nëpër rrugë ka nisur edhe festa e qytetarëve të veshur me ngjyrat kaltër e verdhë.
Për nder të përvjetorit të pavarësisë, institucionet kosovare kanë bërë disa organizime përfshirë edhe një koncert i cili mbahet nga ora 6 e darkës në sheshin kryesor në Prishtinë.