​Osmani: Njohja e pavarësisë nga Ukraina do të vijë bashkë me fitoren e saj / Foto: FB: Presidenca e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të vijë bashkë me fitoren e saj në luftën ndaj Rusisë.

Osmani, në margjinat e Samitit "Ukrainë – Europë Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë, tha para mediave se Kosova do të vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës, kundër agresionit ushtarak rus.

Ajo u përball me pyetjet nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

"Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë të bëjmë. Me mirëkuptimin e plotë se Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme, gjendje lufte, duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj dhe vlerat demokratike. Jam e bindur se ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës", tha ajo.

Osmani bëri të ditur se në Samit do të flasë për hapat konkretë që Kosova po i merr në mbështetje të Ukrainës.

E pyetur për mundësitë e një ballafaqimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në këtë Samit, Osmani tha se gjithmonë do të ketë të tilla, pasi, sipas saj, Vuçiqi jeton me të kaluarën.

"Gjithmonë do të kemi ballafaqime me ta pasi ata jetojnë me të kaluarën", theksoi Osmani.

AA