Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, njëlloj siç ndodhi edhe në shkurt, e përsëriti edhe në mars. Pra, tregoi që premtimet që i ka dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të as politike e as juridike dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar që ai nuk do të zbatojë obligimet, të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe nga aneksi, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së sotme në Klinikën e Gjinekologjisë.
“Tani pavarësisht që u dakordësua në Ohër tani në mars, më lejoni të riktheksoj që teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet. Rrjedhimisht neni 4 i asaj marrëveshje, i cili e obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, pa dallim, pa përjashtim, mbetet në fuqi", ka thënë ajo.
Sipas saj, traktati i Vjenës kërkon që dakordësimi i thënë nga të dyja palët të zbatohet dhe ka thënë se Borrell nuk mund të pajtohet në emër të Vuçiqit.
Kosova dhe Serbia më 18 mars janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të Planit Evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një deklaratë për media, pas dialogut 12-orësh në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.