Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në paraqitjen e parë publike pas ngjarjes tragjike të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe disa të tjerë u lënduan, deklaroi se Lista Serbe në vend se të ishte një parti e cila do të luftonte për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, në përputhje me standarde më të larta evropiane, që janë të mishëruara në Kushtetutën tonë, është shndërruar në një mjet të Vuçiqit, për të luftuar paqen e sigurinë në rajon. Kjo sipas saj më së paku u shkon për shtati qytetarëve serbë në Kosovë.
Duke folur për servisin publik të Kosovës (RTK), ajo tha se në fakt ata (serbët) janë më së shumti të terrorizuar nga elementet kriminale.
“Janë pikërisht grupe të njëjta kriminale që kanë vrarë politikanin Ivanoviq, që kanë kryer sulme dhe kidnapime të serbëve të veriut; kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët kosovarë e tani janë po këta që sulmuan Policinë e Kosovës. E Lista Serbe në vend se të distancohej nga veprimet e tilla, që janë kundër interesave të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, ata janë pjesë e sulmeve të tilla”, tha ajo.
E për kërkesën nga qarqet e BE-së që Kosova të përmbahet nga veprimet e mëtejme, presidentja Osmani bëri pyetje se “nga çka të përmbahet Kosova, nga vetëmbrojtja?”, derisa sqaroi se djemtë e vajzat tona e mbrojnë sovranitetin e vendit e mbrojnë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie dhe kufijtë e vendit tonë.
“Qe 12 vjet dialog , pavarësisht që Kosova vazhdimisht ka zbatuar marrëveshjet, Serbia nuk i ka zbatuar mbi 50% të atyre dhe ka rritur intensitetin e dhunës. Pavarësisht se ka premtuar se do t’i shuaj të gjitha strukturat e sigurisë, ja tani ato po kryejnë sulme terroriste ndaj qytetarëve tanë dhe në qoftë se tani thuhet: ‘Të dyja palët’, ky do të ishte një inkurajim për Serbinë. Por, ne do ta gjemë rrugën përpara, bashkë me partnerët tanë. Në këtë rrugë me sfida tejet të rënda neve na duhen ata në krah, sepse kjo është garancia e suksesit”, tha Osmani.
Kurse për zgjedhjet në veri të vendit, presidentja e vendit bëri të ditur se nuk ka mospajtim me ndërkombëtarët nëpërmjet peticionit, derisa metoda e preferuar e tyre është me dorëheqje, por preferenca është çështje tjetër, “mirëpo mundësitë janë aty , dy parashihen me ligjin tonë dhe që të dyja kanë qenë të përkrahur nga partnerët tanë si mundësi për organizmin e zgjedhjeve të reja. Kjo mbetet në dëshirën e qytetarëve serbë atje, nëse duan zgjedhje të reja le të urdhërojnë, mundësitë ligjore i kanë”.
Lidhur me dialogun dhe marrëveshjet e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, presidentja e vendit tha se ajo marrëveshje nuk është perfekte për Kosovën, ka disa gjëra të mira e disa që ka dyshimet e saj, por që është marrë obligim për të zbatuar ato, theksin e vuri te neni 7 dhe 10 i marrëveshjes, ku flitet për obligimin për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në këtë pikë, presidentja tha se duhet të ulemi me Shtetet e Bashkuara për të përgatitur draftin.
“Zgjidhja është se ne duhet të ulemi me ShBA-në, të përgatisim draftin tonë, ta prezantojmë para Sekretarit të shteti amerikan që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogerinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan nga Chollet e Escobar, të cilët sqarojnë se një trup i tillë do të jetë trup koordinues dhe si e tillë nuk do ta rrezikonte funksionalitetin e brendshëm të Kosovës e as aspektet e tjera kushtetuese të vendit tonë”, deklaroi mes të tjerash Osmani.