Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Donald Trumpin me rastin e marrjes zyrtare të detyrës si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani nëpërmjet një letre dërguar homologut amerikan Trump i ka uruar suksese administratës së re duke theksuar se janë të gatshëm për të forcuar marrëdhëniet dhe për të promovuar vlerat e përbashkëta të lirisë, si dhe për të adresuar sfidat e kohës.
Presidentja kosovare në këtë letër ka thënë se Kosova do të mbajë përgjithmonë një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik të ShBA-së që luajtën në mbështetjen e Kosovës gjatë disa prej kapitujve më të errët të historisë së saj.
“Lidershipi dhe përkushtimi juaj për të avancuar rrugën e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim me vendosmëri. Si presidente e Republikës së Kosovës, ndaj bindjen tuaj se kjo do të kontribuojë gjithashtu për paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë kontinentin evropian”, shkroi Osmani.
Presidentja kosovare tutje tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me administratën e sapoemëruar.
“Jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë së bashku me ju dhe administratën tuaj për të siguruar që ky qëllim të arrihet dhe për të forcuar marrëdhëniet tona të veçanta duke ecur përpara”, shtoi Osmani.
Tutje, ajo tha se Kosova me krenari mbetet kombi më proamerikan në botë dhe se janë të gatshëm për zgjerimin dhe forcimin e këtij partneriteti, në të mirë të popullit dhe brezave të ardhshëm.