Takimi i liderëve të partive më të mëdha politike të opozitës së Kosovës me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, mbaroi pa ndonjë epilog të përbashkët lidhur me zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të Kosovës dhe raportet me Serbinë.
Haradinaj braktisi takimin
I pari që e braktisi takimin pak minuta pas fillimit të këtij të fundit ishte kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “Kurti mbante ligjërata e nuk sqaronte përse ka prishur raportet me Amerikën”.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj.
Krasniqi i pasigurt për rrugën e qeverisë
Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas takimit deklaroi se nuk ka marrë siguri për atë se Qeveria është në vetëdije ose jo se në çfarë rruge ka hyrë dhe se çfarë duhet të ndërmarrë, pas vendimit për targa.
“Fatkeqësisht s’kemi përgjigje. Sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që qeveria e di se në çfarë rruge ka hyrë dhe se si të dalë nga kjo situatë duke e ruajtur territorin e Kosovës. Unë ia shpreha kërkesën e PDK-së, se Kosovës i duhen veprime dhe vendime të përgjegjshme, që e ruajnë sovranitetin e Republikës. Për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së, qoftë në Kuvend ose nëpërmjet çdo mundësie që ne e kemi”, tha ai derisa shtoi se më i interesuar ka qenë të dëgjonte për planet e Qeverisë për të mbajtur situatën nën kontroll.
Sipas tij, papjekuria e qeverisë nuk ka mundur të shmangë situatën në të cilën sot ndodhet vendi.
“Kemi diskutuar gjerë e gjatë edhe për procesin e dialogut, edhe për propozimin franko-gjerman. Por, në vend se të fokusohemi në një marrëveshje finale Kosovë-Serbi ne sot po merremi me tema të tjera”, tha Krasniqi.
Abdixhiku: Kurti s’ka plan për çështjen e veriut
Ngjashëm si oponentët e tij opozitarë takimin me kryeministrin Kurti, e vlerësoi edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, Kurti nuk ka plan për zgjidhjen e çështjes së veriut.
Ai tha para mediave se Kosova duhet të rreshtohet kah aleatët dhe të mos vijë në situatën që të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve.
“Nuk kuptuam diçka më të re se sa deklarimet e kryeministrit. Nuk pamë plan për zgjidhjen e çështjes së krijuar. Nuk pamë lëvizje për koordinim të plotë me aleatët tanë. Besojmë se koordinimi me Departamentin e Shtetit dhe me institucionet, me Uashingtonin dhe Brukselin, është zgjidhja e vetme për situatën e krijuar. Kosova duhet të sigurojë paqen dhe sovranitetin në territorin e vet”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku deklaroi se LDK-ja i jep mbështetje kryeministrit Kurti për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e Kosovës, por që, sipas tij, duhet pasur plan dhe koordinim me aleatët.
“Kosova të koordinohet me aleatët e vet. Çdo ecje me aleatët i sjell Kosovës siguri, ndërsa çdo devijim nga kjo e shpie Kosovën në rrugë të paqarta të sigurisë në të ardhmen. Kjo betejë është më e madhe sesa e Kosovës. S’ka koordinim të tillë derisa s’ka konfirmim të aleatëve që po ndodh koordinim. I kërkuam Kurtit që temën e Serbisë të mos e bëjë temë të diskutimit publik në Kosovë”, tha ai.
Në takim me Kurtin, Abdixhiku tha se u diskutua edhe çështja e dialogut. Sipas tij, Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë që në thelb ka njohjen reciproke dhe që e ruan sovranitetin.
Kurti takimin e vlerësoi shumë të mirë
Përkundër që opozita doli e pakënaqur nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ky i fundit e ka cilësuar si takim shumë të mirë dhe njoftues rreth situatës politike dhe të sigurisë .
Ai u shpreh se përshtypja e tij karshi krerëve të partive opozitare është se ata janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues.
Këto komente, Kurti i bëri pas pjesëmarrjes së tij në “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023” e cila nisi sot.
“Takimi që pata sot në mëngjes me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë, ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Tash përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”, tha Kurti.
Ndryshe, vendimi i Qeverisë së Kosovë për zbatimin e masës qortuese për pronarët e automjeteve me targa serbe ka shkaktuar një krizë politike në Kosovë, me çka përfaqësuesit serb po thuajse në të gjitha nivelet i kanë braktisur intitucionet e shtetit.