Në 24 orët e fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë shuar falë punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha sot se “aktualisht mbeten aktive vetëm dy vatra: një në vendin e quajtur Agjioneri, në bashkinë Delvinë, ku po punohet intensivisht për izolimin e plotë të zjarrit, dhe një tjetër në bashkinë Dropull, ku situata është më e qetë, por puna vijon për të shmangur çdo rrezik përhapjeje”.
Peleshi falënderoi për angazhimin maksimal 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare, të cilët punuan me përkushtim për të shuar flakët në temperatura tejet të larta.
Për shuarjen e zjarrit ndihmuan edhe helikopterët Cougar dhe 2 Canadair të ofruara nga Greqia.