Efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse të Qarkut Berat dhe forcat policore, kanë përfunduar me sukses operacionin për shuarjen e zjarrit që përfshiu afërsi të fshatit Skrevan, bashkia Dimal.
Zjarri përfshiu një sipërfaqe rreth 20 hektarë shkurre e bimësi të mesme, ndërsa në operacion u përfshinë 20 efektivë të Forcave të Armatorsura, 37 zjarrfikës, 20 efektivë policie, si dhe shtatë mjete zjarrëfikëse.
Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit është bërë këputja e një linje të tensionit të lartë, por pas rreth 8 orëve, situata u normalizua.
Angazhimi i strukturave të Forcave të Armatosura do të vijojë deri në përmirësimin e situatës së krijuar nga zjarret në të gjithë vendin, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Forcat e Armatosura, përveç sigurimit dhe mbajtjes së gatishmërisë së kapaciteteve të nevojshme operacionale për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit në bashkëveprim NATO, dhe përmbushjen e detyrave në kuadër të Aleancës, kanë objektiv të rëndësishëm edhe mbështetjen e popullsisë në përballimin e fatkeqësive natyrore e misionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve jane pjesë e kësaj përgjegjësie.