Zjarret e shumta pyjore janë aktive në Greqi, përfshirë Athinën, ku autoritetet u kanë kërkuar njerëzve të qëndrojnë brenda me dritare të mbyllura.
Më shumë se 400 zjarrfikës, me ndihmën e 16 avionëve zjarrfikës dhe 13 helikopterëve, luftuan një zjarr në pyll në periferi të Athinës. Për shkak të erës së fuqishme zjarri është përhapur jashtëzakonisht shpejt dhe flakët kanë arritur një lartësi prej 25 metrash.
Zjarri përfshiu shpejt fshatin Varnavas në një zonë me popullsi të rrallë rreth 35 kilometra në veri të Athinës, ku banojnë rreth 1800 njerëz.
"Fshati u rrethua në një çast. Filloi nga një pikë dhe befas u rrethua i gjithë fshati", tha banorja Katerina Fylaktou.
Për shkak të dy zjarreve në afërsi të Athinës, tym i dendur është duke u përhapur mbi kryeqytetin grek.
Zjarri i dytë, i cili shpërtheu në një zonë pyjore pranë Megara në Atikën perëndimore të dielën pasdite dhe detyroi banorët të evakuohen, u frenua pjesërisht. Për shkak të temperaturave të larta, erërave të stuhishme dhe thatësirës, gjysma e Greqisë është nën paralajmërimin e rrezikut të lartë të zjarrit.
Qindra zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë që nga maji, e shkencëtarët ia atribuojnë shpeshtësinë dhe intensitetin e tyre kushteve të motit gjithnjë e më të nxehtë dhe më të thatë të lidhura me ndryshimet klimatike.
Pas dimrit më të ngrohtë të regjistruar dhe periudhave të gjata me pak ose aspak reshje, Greqia regjistroi gjithashtu qershorin dhe korrikun e saj më të ngrohtë dhe parashikohet të jetë vera më e nxehtë e regjistruar.