Përfundoi takimi i përfaqësuesëve politikë në ambasadën amerikane me ç’rast u diskutua për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, menjëherë pas takimit nëpërmjet rrjetit social Twitter ka shprehur mirënjohjen për palët e pranishme.
“Sot mbajtëm një seancë dëgjimore për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut”, shkroi Hovenier.
Lidhur me këtë takim, pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, u pyetën edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, nuk e ka komentuar fare takimin përveç se bëri të ditur se po prezentohet nga shefi i stafit të tij.
Ftesës për takim i janë përgjigjur pozitivisht përfaqësues të pushtetit, të opozitës dhe të shoqërisë civile.
Në po të njëjtën kohë gjatë ditës së sotme dhjetëra qytetarë po protestojnë në Prishtinë për të kundërshtuar krijimin e Asociacionit.
Para Teatrit Kombëtar të Kosovës, protestuesit po i bëjnë thirrje qeverisë që të mos pranojnë “Zajednicën”.
Për Asociacionin është diskutuar edhe dje në Prishtinë. Organizata gjermane, Friedrich-Ebert- Stiftung (FES) në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP) ka publikuar një draft-statut të Asocaciacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Aty është thënë se drafti është hartuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës se Kosovës.
Sipas draftit, Asociacioni do të ketë simbolet e veta të dizajnuara nga bordi i asociacionit në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.