Deputet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje janë përfshirë në një përleshje fizike në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Ka qenë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ai i cili fillimisht e ka spërkatur me ujë kryeministrin Albin Kurti, përderisa ai mbante fjalim në foltoren e Kuvendit. Si pasojë e këtij veprimi kanë reaguar edhe ministrat e VV-së.
Fillimisht, deputetë të partisë më të madhe opozitare, PDK-së, por edhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kritikuan pushtetin për bashkëpunim me Listën Serbe, pas publikimit të një përgjimi telefonik që doli këtë javë midis shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Pas fjalëve të deputetëve, kryeparlamentari Glauk Konjufca i dha të drejtën e fjalës kryeministrit Kurti, i cili doli në foltore ku u vendos një pllakatë me përshëndetjen “Zdravo”, e cila u përdor njëjtë në bisedën e Kusarit me Simiq.
Derisa kryeministri Kurti po fliste, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e vendosi një fotografi të Kurtit me hundë të gjatë po ashtu në këtë foltore, ndërsa me një reagim të shpejtë këtë fotografi e hoqi zv/kryeministri Besnik Bislimi.
Pas kësaj, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, doli te foltorja duke e spërkatur me ujë kryeministrin Kurti dhe zv/kryeministrin Bislimi, por si kundërpërgjigje edhe ai u godit me një shishe qelqi në fytyrë nga zv/kryeministri Bislimi.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetëve nga të dyja palët, atyre të VV-së dhe të PDK-së, të cilët dolën rreth foltores dhe patën një përplasje fizike që ka zgjatur për më pak se një minutë.
Kryeparlamentari Konjufca kërkoi që në sallën e seancës plenare të vijë policia ndërsa seanca shkoi në pauzë për 30 minuta.