Përmbytjet në Vlorë, Rama: Të rritet koordinimi e efikasiteti i veprimit / Photo: ATA

Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryebashkiakët, u ndal te përmbytjet në Vlorë, ndërsa kërkoi nga të gjitha bashkitë që të kenë një organizim më të mirë të strukturave në rastet e emergjencave civile.

Ndërsa solli në vëmendje situatat e përmbytjeve të krijuara nga reshjet edhe në vende të tjera të zhvilluara, Kryeministri theksoi se “nuk ka infrastrukturë sado ekselente të jetë, që të përballojë goditjen e parë”.

Por, sipas tij, strukturat duhet të gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit.

“Është fakt që të gjitha vendet duhet të përballen në periudhën e verës me zjarre, dhe në vjeshtë, pranverë e dimër me përmbytje. Natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar dhe ndryshon çdo vit. E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz dhe ku dëmet dhe sipërfaqja e plagës së hapur atje janë marramendëse”, tha Rama.

Sipas tij, “ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që u bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve”.

“Para ca kohësh u bë spektakolare përmbytja në Dubai, ku në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me 4 muaj rresht shi në Londër. Nuk ka infrastrukturë sado ekselente të përballojë goditjen e parë”, theksoi Rama.

Por, kryeministri theksoi se ajo që nuk duhet neglizhuar është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor qoftë për zjarret, qoftë për përmbytjet.

“Duke marrë përmbytjet, është e domosdoshme të ketë një fokus të veçantë te organizmi i strukturës, trajnimi, aftësimi dhe stërvitja e të gjithë strukturës që duhet të jetë gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit. Kur është faza e goditjes nuk ka çfarë askush, por e gjithë struktura duhet të vihet në funksion në momentin e parë të reagimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se duhet të rritet koordinimi dhe efikasiteti i ndërveprimit me strukturat e qeverisë qendrore.

Ai solli si shembull Italinë, e cila në sferën e emergjencave civile është një nga vendet e ekselencës, me një rrjet personash të gatshëm ku përfshihen edhe rezervistë.

Rama nënvizoi po ashtu domosdoshmërinë e trajnimit të personave të angazhuar në linjat e hapura të komunikimit, ku qytetarët kërkojnë ndihmë.

“Më ka dërguar një qytetare nga Vlora një komunikim me linjën e hapur. Ai komunikim do të ishte korrekt nëse situata do të ishte normale, por në rastin e përmbytjeve linjat e hapura të komunikimit janë linja solidariteti e përkujdesjeje për t’i qëndruar afër personit që po të merr që është deri në gjunjë në ujë brenda shtëpisë. Edhe në këtë aspekt duhet bërë punë”, tha Rama.

ATA