Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq dhe ai i Kosovës Albin Kurti kanë zhvilluar takim në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Në një postim në rrjetin social “X”, Plenkoviq ka shkruar se me Kurtin kanë biseduar për situatën në rajon, ndërsa nuk kanë lënë anash forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti diskutova për situatën në rajon. E përgëzova për heqjen e regjimit të vizave si dhe i shpreha mbështetjen tonë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar Plekonviq.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke ndarë disa fotografi po nga ky takim tha se ka falënderuar Kroacinë në lidhje me mbështetjen sovranitetin, mbrojtjen dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Ne diskutuam për rritjen ekonomike dhe progresin e Kosovës, si dhe fushat për bashkëpunim të mëtejshëm siç është arsimi. E falënderova atë për mbështetjen e Kroacisë në lidhje me sovranitetin, mbrojtjen dhe integritetin tonë territorial”, ka shkruar Kurti.
Në punimet e Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet këto ditë në Davos si gjithnjë po marrin pjesë kryeministra dhe krerë të vendeve nga e gjithë bota.