Disa ditë pasi zv/kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ranë dakord për pikat e deeskalimit që duhet ndërmarrë në veri të Kosovës, njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë nisur t’i reduktojnë trupat e tyre në objektet komunale në veri të vendit. Reduktimi i forcave policore ka ndodhur para mesnatës së mbrëmshme, ndërsa KosovaPress mëson se këto lëvizje janë zhvilluar paralelisht nga komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për KosovaPress se ka filluar të implementohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e njësisë speciale nga veriu.
"Po, ka filluar reduktimi i njësive policore nga komunat ku kemi qenë prezentë. Gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë operacioni", ka thënë për KosovaPress nënkoloneli Elshani.
Gjithashtu, në Bruksel ditë më parë Bislimi dhe Lajçak u pajtuan për mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit, edhe atё pas stinёs sё verёs. Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Serbët lokalë po protestojnë që nga 26 maji në veri, duke kundërshtuar emërimin e kryetarëve të rinj shqiptarë të katër komunave veriore, edhe pse ata vetë nuk morën pjesë në këto zgjedhje.