Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Özkan Ulutaş.
Në një njoftim për media nga Zyra e Presidentes, bëhet e ditur se hapja e urës kryesore mbi Lumin Ibër në Mitrovicë ka qenë tema e diskutimit në këtë takim.
Osmani ka thënë se hapja e urës është në interes të të gjithë qytetarëve.
"Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë", ka shkruar Osmani.
Qeveria e Kosovës njoftoi një muaj më parë për synimin që ta hapë urën kryesore mbi Ibër edhe për automjete.
Ura e cila ndan Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shqiptarë dhe në pjesën veriore me shumicë serbe aktualisht është e qarkullueshme për këmbësorë ndërsa atë e ruan KFOR-i Italian.
Hapja e urës së Ibrit u kundërshtua nga Bashkimi Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe vendet e Quint-it, derisa KFOR-i ka deklaruar se me hapje të urës rrezikohet siguria e rajonit.