Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, priti sot ambasadorin e Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.
Siç thuhet në njoftimin e dërguar nga Zyra e Presidentit, në takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe, të cilat janë tradicionalisht miqësore, në frymën e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe aleancës në NATO.
“Presidentja Siljanovska-Davkova falënderoi për mbështetjen e përgjithshme që Türkiye e ka dhënë që nga ditët e para të pavarësisë maqedonase dhe theksoi përkushtimin e saj për të punuar në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në të gjitha sferat e interesit reciprok. Në këtë kontekst, presidentja Siljanovska-Davkova theksoi nevojën për krijimin e kushteve të nevojshme për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve nga të dyja vendet, me qëllim të rritjes së tregtisë”, thuhet në njoftim.
Në takim gjithashtu u shkëmbyen mendime për gjendjen aktuale në të dyja vendet, për zhvillimet e sigurisë dhe zhvillimet politike në rajon, si dhe për sfidat në lidhje me integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Presidentja shprehu pritjen e saj se Türkiye do të jetë partnere konstruktive dhe mbështetëse e Maqedonisë së Veriut në të ardhmen, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Në takim u theksua edhe roli dhe kontributi i komunitetit turk në zhvillimin e përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut.