Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, është pritur në takim nga emiri i vendit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani.
Në njoftimin e Zyrës së Presidentes, thuhet se në këtë takim u diskutua për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme si në shëndetësi, turizëm malor, infrastrukturë, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën.
“Në veçanti u diskutuan një sërë projektesh investive në sektorë strategjikë për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), “të cilët kanë nevojë për shërbime protetike”.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, derisa presidentja Osmani e ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.