Presidentja Osmani priti në takim homologen sllovene Nataša Pirc Musar           / Foto: AA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një drekë pune Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.

Siç njofton Zyra e Presidentes, duke folur për marrëdhëniet bilaterale me Slloveninë, presidentja Osmani ka potencuar se Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngushtë të Kosovës, mbështetja e vazhdueshme e së cilës ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Osmani dhe Musar kanë diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në fushën e sigurisë, përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik, si dhe për thellim të vazhdueshëm të raporteve me Slloveninë.

Me këtë rast, Osmani ka shprehur po ashtu mirënjohje në emër të qytetarëve të Kosovës për trupat sllovenë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, që presidentja sllovene Musar i vizitoi mbrëmë me rastin e festave të fundvitit.

TRT Balkan / agjencitë