Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për aksidentin tragjik në Bolu / Photo: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në emër të Republikës së Kosovës ka shprehur ngushëllime për aksidentin tragjik që ndodhi në Bolu të Türkiyes.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Osmani ka thënë se është pikëlluar thellësisht nga ky aksident.

“Në emër të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet tona më të thella familjeve dhe të dashurve të tyre që mbajnë zi për këtë humbje shkatërruese”, shkroi Osmani.

Tutje, ajo tha se Kosova qëndron me reaguesit e guximshëm që punojnë pa u lodhur për të shpëtuar jetë dhe për t’i ndihmuar nevojtarët.

“Të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. Në këtë kohë të vështirë, mendimet dhe solidariteti ynë janë me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe popullin e Türkiyes”, shtoi Osmani.

Autoritetet turke njoftuan së fundi se nga zjarri që shpërtheu në një hotel në lokacionin turistik dimëror Kartalkaya, rreth 295 kilometra në lindje të Istanbulit, numri i viktimave u rrit në 66, ndërsa 51 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Zjarri i cili shpërtheu në orët e para të mëngjesit bëri që ekipe të shumta emergjente nga qytetet fqinje, duke përfshirë zjarrfikësit, njësitë e reagimit ndaj fatkeqësive dhe ekipet mjekësore të mbështetura nga helikopterët, të dërgohen në vendngjarje. Autoritetet evakuuan rreth 230 vizitorë nga hoteli.

AA