Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti sot në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, të kryesuar nga eurodeputeti Lukas Mandl.
Në takim me delegacion austriak, Osmani falënderoi shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme përgjatë historisë.
Gjatë takimit, siç informoi Presidenca, u diskutua edhe për procesin e dialogut me Serbinë, teksa presidentja Osmani potencoi obstruksionet e Serbisë në procesin e dialogut, duke e penguar dialogun dhe duke u përpjekur që nëpërmjet përdorimit të bandave kriminale në veri ta destabilizojë jo vetëm Kosovën.
“Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët. Presidentja Osmani shtoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga partnerët për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, sepse avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare sjell më shumë stabilitet e prosperitet për të gjithë qytetarët, pa dallim”, u bë e ditur në komunikatë.
Më tej, në takim u diskutua edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, ndaj, në këtë kontekst, siç u bë e ditur, Osmani përmendi potencialin ekonomik që ka Kosova, sikurse edhe mjedisin e favorshëm për investitorët e huaj.
Politika e jashtme, arsimi, shëndetësia dhe shkëmbimi tregtar u përmendën në kontekst të thellimit të bashkëpunimit të Kosovës me Austrinë.