Presidentja Osmani takoi në Bruksel Presidenten e PE-së, Roberta Metsola / Photo: AA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në Bruksel, u takua me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për një partneritet të ngushtë me Parlamentin Evropian, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për përparimin e integrimit të Kosovës në BE.

Gjatë bisedës, Osmani e informoi presidenten Metsola për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës.

“Ajo nënvizoi lidhjet e qarta të Serbisë me këto sulme, duke përfshirë edhe aktin e agresionit të vitit të kaluar në Banjskë për të cilin ende nuk ka llogaridhënie. Presidentja theksoi se është thelbësore që autorët e këtyre krimeve të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë”, thuhet në njoftim.

Tutje, presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës për t'i arritur objektivat e saj të integrimit evropian dhe kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe largimin e masave, të cilat më së shumti po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë