Presidentja Osmani takoi në Doha kryeministrin e Katarit, Al Thani.    /Foto: Vjosa Osmani/X

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në kryeqytetin e Katarit, në Doha, me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, transmeton Anadolu.

Siç njoftoi presidentja Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale, ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Katarit për Republikën e Kosovës.

"Diskutim i mirë mbi marrëdhëniet e Kosovës dhe Katarit dhe për përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin midis vendeve tona në një sërë fushash", shkroi Osmani pas takimit.

Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Dohas me ftesë të emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Paraprakisht, Osmani ka bërë të ditur se në këtë forum do të diskutojë për "rëndësinë e partneriteteve në drejtimin e sfidave aktuale globale, si dhe përpjekjet e Kosovës për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme".


TRT Balkan / agjencitë