Gjatë vizitës së saj zyrtare në Kolumbi, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është pritur me nderime nga Presidenti i Senatit dhe i Kongresit të Kolumbisë, Efraín Cepeda, derisa gjatë ditës takoi edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo.
Në takimin me Presidentin e Senatit dhe të Kongresit të Kolumbisë, Cepeda, presidentja Osmani shkroi se diskutuan për rëndësinë e paqes dhe promovimin e vlerave të përbashkëta, për bashkëpunimin ndërparlamentar dhe fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës.
Ndërkaq, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo, Osmani tha se Kosova, ashtu edhe Kolumbia, por edhe shumë vende anekënd botës, e njohin dhimbjen e thellë që shkakton dhuna seksuale gjatë luftës.
“Kjo armë lufte shkakton vuajtje të thella dhe vështirë të rikuperueshme. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në fuqizimin e zërit të të mbijetuarve, si dhe avancimi i Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishin në fokus të takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo”, shkroi Osmani pas takimit, i cili ndodhi në kuadër të zhvillimit të Konferencës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës.
Gjatë vizitës së punës në Kolumbi, Osmani, përpos takimeve me krerë të lartë të institucioneve atje, pritet ta bëjë edhe inaugurimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bogota.