Është lansuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në “TechPark Prishtina” në fshatin Bërnicë, platforma dhe këndi “Made in Kosova”.
Në lansimin e kësaj platforme morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadorë të vendeve mike në Kosovë dhe të ftuar të tjerë nga fusha e teknologjisë dhe biznesit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se platforma “MIK” jo rastësisht nënkupton edhe “Made in Kosova”, e cila nuk është simbolike, por përmban informata të detajuara në mbi 10 sektorë kyç të Kosovës.
Kurti tha se shifrat të cilat janë në këtë platformë u shërbejnë investitorëve potencialë, por edhe njerëzve të tjerë të interesuar të mësojnë më shumë për realitetin e potencialin ekonomik, kulturor e turistik të Kosovës.
“Nëse hyn tek sektori i përpunimit të drurit, figuron që industria në fjalë, kishte 1 miliardë euro qarkullim në pesë vitet e fundit. Gjithashtu, platforma krijon mundësi të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë të cilën MPJD-ja e lidh me departamentin përkatës”, theksoi Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se platforma synon të hapë një dritare të re për ta paraqitur Kosovën në mënyrë inovative, duke ndikuar në rritjen e eksporteve të produkteve vendore dhe mundësinë e shtrimit të kontakteve të prodhuesve kosovarë me partnerë të ndryshëm jashtë vendit.
“MIK-u do të jetë një dritare virtuale fillimisht në misionet tona diplomatike duke paraqitur aty prodhimet vendëse dhe kulturën tonë para shoqërive në gjithë botën. Bashkë me sektorin privat dhe bashkë me shoqërinë civile synojmë të ndërtojmë një rrjet të fuqishëm të kontakteve dhe biznesit, duke ndihmuar në rritjen jo vetëm të eksportit, por edhe në forcimin e imazhit të vendit tonë në skenën ndërkombëtare”, theksoi Gërvalla.
Në kuadër të këtij aktiviteti u organizua edhe një panel diskutimi me sektorin privat.