Me rastin e 8 Marsit - Ditës Ndërkombëtare të Gruas, qindra qytetarë në Prishtinë kanë marshuar në qendër të kryeqytetit.
Në marshin e organizuar nga Kolektivi "Marshojmë s'Festojmë", marshuesit bënë thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë si dhe për drejtësi në Gaza. Disa nga pankartat e shfaqura gjatë marshit ishin "Drejtësi për gratë e vrara", "Liri grave", "Barazi", "Solidaritet".
Para stacionit policor në Prishtinë marshuesit hodhën bojë të kuqe dhe tym të kuq, ndërsa në ndërtesën e Avokatit të Popullit u vendos një pankartë e madhe ku shkruhej "Trupi im, e drejta ime".
Marshi filloi në sheshin "Skënderbeu" dhe përfundoi para Qeverisë së Kosovës, ku pati përleshje me policinë, e cila nuk deshi t'i linte pjesëmarrësit e marshit t'i afroheshin pikërisht hyrjes së ndërtesës së Qeverisë.
Aktivistja Anita Mjeku më pas mbajti fjalën para kordonit policor. Ajo tha se gratë në Kosovë trajtohen si një klasë e dytë. "Shteti patriarkal na ka treguar qartë se trupat tanë mund të masakrohen", tha Mjeku.
Ajo u bëri thirrje mediave të trajtojnë dhunën ndaj grave në mënyrë dinjitoze dhe jo sensacionale.
Më pas, pjesëmarrësit e marshimit u ulën në tokë para korridorit të policisë.