Në qytetin e Rudnicës, që ndodhet në pjesën jugore të Serbisë në afërsi të vendkalimit kufitar Jarinjë, pak pas orës 18:00 filloi protesta e paralajmëruar dhe bllokada e pjesshme rrugës.
Disa qytetarë dhe përfaqësues të shoqatave vendase kanë bllokuar pjesërisht rrugën Rudnicë - Jarinjë.
Shoqatat e qytetarëve, përfshirë ata nga Mitrovica e Veriut, prej ditësh kanë bërë thirrje për bllokada.
Plani është që, përveç kësaj rruge, të bllokohen edhe rrugët që çojnë në vendkalimet: Bërnjak, Merdarë në anën e Serbisë, si dhe në vendkalimin Kula në seksionin e rrugës Pejë-Rozhaje në Mal të Zi.
Demonstruesit lejojnë kalimin e automjeteve të shërbimeve emergjente dhe qytetarëve me dokumente dhe targa serbe. Siç thonë ata, nuk do të lejojnë kalimin e veturave dhe qytetarëve të Kosovës me dokumente të lëshuara nga institucionet e Prishtinës.
Protesta në afërsi të Jarinjës po vijon e qetë, pa asnjë incident të regjistruar.
Qytetarët e mbledhur mbajnë një pankartë me nëntë kërkesa. Ata theksuan se do të qëndrojnë aty, duke paralajmëruar mbështetje më të madhe, deri në plotësimin e kërkesave.
Siç kanë thënë organizatorët, bllokada do të zgjasë deri në tërheqjen e pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, lirimin e institucioneve të mbyllura së fundmi nga autoritetet kosovare, të cilat protestuesit i konsiderojnë si “të uzurpuara”, duke kërkuar që ato “t'u kthehen serbëve”.