Kurti nuk do të shkojë në Prokurori për hetimet mbi rezervat shtetërore / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës, lidhur me hetimet mbi rezervat shtetërore.

Duke folur në një emision televiziv, Kurti, ndër të tjerash, iu përgjigj edhe pyetjes lidhur me atë se pse nuk pranon të shkojë në Prokurori për të dhënë dëshmi lidhur me hetimet mbi rezervat shtetërore.

Kurti ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufajn, se ai përpiqet që me intervistimin e kryeministrit për një rast korrupsioni, "të prodhohet lajm ndërkombëtar".

Kryeministri i Kosovës rastin e tij e ka përngjasuar me arrestimin e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili ishte arrestuar për shpërdorim të detyrës në vitin 2010, duke theksuar: "Aty nuk duhet si dëshmitar, ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s'munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së".

"Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t'ju them s'po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s'kam privatisht asgjë", ka theksuar Kurti.

Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, është përgjigjur rreth deklaratave të kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka mbështetjen e plotë të KPK-së, duke shtuar se "të gjithë janë të barabartë para ligjit".

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka dërguar dy ftesa deri te kryeministri Kurti, por ai nuk është paraqitur për intervistim. Nga kryeministria kanë thënë se Kurti është i gatshëm të dëshmojë, por që këtë ta bëjë në zyrën e tij.

AA