Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka siguruar qytetarët se institucionet e sigurisë në vend janë plotësisht të përgatitura për ta mbrojtur integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve. Në konferencën e fundvitit, ai theksoi se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për rreziqet e mundshme gjatë këtyre ditëve kanë për qëllim transparencën dhe jo frikësimin e qytetarëve.
“Ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë janë të gatshme për çdo sfidë. Deklaratat tona kanë pasur qëllim vetëm t'i informojnë qytetarët, jo të krijojnë panik,” deklaroi Maqedonci.
Ai rikujtoi ngjarjet e sulmeve në Banjskë dhe kanalin Ibër-Lepenc, duke theksuar se grupet e përfshira vazhdojnë të jenë të lira në Serbi. “Institucionet tona garantojnë siguri dhe janë të përgatitura për çdo kërcënim që synon cenimin e vendit tonë,” tha ai.
Ministri theksoi gjithashtu arritjet e ushtrisë gjatë mandatit të tij, duke përfshirë dyfishimin e numrit të ushtarëve dhe përmirësimin e pajisjeve dhe trajnimeve. Ai bëri të ditur se regjimenti i tretë i këmbësorisë do të validohet gjatë stërvitjes ndërkombëtare “Defender Europe 2025”.
“Ushtria jonë sot është më e fuqishme, më e pajisur dhe më e përgatitur se kurrë më parë. Jemi gati ta mbrojmë sovranitetin dhe t'i mbështesim autoritetet civile në rast fatkeqësish natyrore, si dhe të marrim pjesë në operacione ndërkombëtare me aleatët tanë,” përfundoi Maqedonci.
Me një fokus në zhvillimin e kapaciteteve luftarake, fuqizimin e mbikëqyrjes civile dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, Ministria e Mbrojtjes synon ta vazhdojë forcimin e sigurisë në vend.