Edhe pse zyrtarisht sezoni i skijimit duhej të fillonte që në muajt e fundit të vitit të kaluar, në ski qendrat e rajonit duket vetëm gjelbërimi dhe shumë pak ose fare borë.
Borë nuk ka as në ski qendrën e Brezovicës në Kosovë. Aty temperaturat ditore madje kanë shkuar në mbi 15 gradë. Shfrytëzohen vetëm teleferikët dhe pjesët e gjelbra për rekreacion.
Në fshatin turistik të Dardhës në Shqipëri, po ashtu nuk ka nisur skijimi, pikërisht për shkak të mungesës së borës, edhe pse tradicionalisht ky vend është përplot me borë në periudhën e dimrit.
Në Kodrën e Diellit dhe në Mavrovë të Maqedonisë së Veriut, gjithçka është gati për sezonin e skijimit, përveç borës, ndërsa temperaturat janë thuajse pranverore.
Në qendrat e skijimit të Bosnjë e Hercegovinës, Bjellashnica dhe Igmana, turistët dhe banorët lokalë kanë shfrytëzuar motin pranveror për zgarë dhe piknik, pasi nuk ka borë. Pas festave të fundvitit, rezervimet kanë rënë ndjeshëm.
Edhe në qendrën më të madhe të skijimit në Mal të Zi, Kolashin, sezoni i skijimit është i thatë, pa borë. Ka edhe shumë anulime prenotimesh nëpër hotele dhe kapacitete të tjera akomoduese.
Ski qendra serbe Kopaonik nuk funksionon me kapacitetin e plotë, ndërsa bora e paktë që ka rënë është matur në 1 cm. Menaxhuesit kanë shtruar borë artificiale nga dhjetë deri në 20 centimetra për t’i funksionalizuar pistat e skijimit.
Paralajmërimet e motit nuk janë në favor të qendrave të skijimit dhe pronarëve të hoteleve e bujtinave të cilët mbijetojnë nga turistët. Në afat të shkurtër, nuk priten reshje të borës. Sipas parashikimeve të motit, temperaturat relativisht të ngrohta për këtë periudhë do të vazhdojnë edhe më tutje, ndërsa reshje të borës nuk do të ketë të paktën deri në mesin e janarit.