Shqipëria me mbi 1.600 policë në zonat turistike, “heq” kufirin me Kosovën/    Foto: ATSH

“Për sigurinë e turizmit në Shqipëri” ka qenë tema e konferencës e organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit në Shqipëri. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u shpreh se këtë sezon turistik do të bëhet gjithçka për t’i garantuar çdo pushuesi pushime të qeta, të bukura dhe të sigurta në Shqipëri.

Policia e Shtetit ka gati një plan të madh masash, i cili shtrihet në gjithë territorin, e që ndërthuret me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe partnerët e qeverisjes vendore.

Ai u shpreh se në 3 muajt e parë të vitit 2024, aeroporti “Nënë Tereza”, ka pritur rreth 900.000 pasagjerë më shumë se vitin e kaluar dhe në pritje të shifrave të muajit prill, shifrat shkojnë përtej çdo parashikimi ose pritshmërie.

Vetëm në komisariatin e Rinasit do të shtohen 100 punonjës të tjerë policie me qëllim përballimin e këtij fluksi.

Balla shtoi se gjatë vizitave të tij në të gjitha pikat e kalimit i ka kërkuar çdo punonjësi të Policisë së Shtetit ta shohë veten si kontakti i parë dhe i fundit i vizitorëve të huaj me Shqipërinë, sepse sjellja e tyre përbën përshtypjen e parë dhe kujtimin e fundit nga atdheu i shqiponjave, ndërsa ka përmendur gjithashtu forcat zjarrfikëse, ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe të emergjencave civile.

Në kuadër të këtij plani të madh masash, pas pak ditësh do të jenë ngritur edhe 6 stacione shtesë të Policisë së Shtetit në zona me fluks të shtuar turistik: në Theth, në Valbonë, në Tale, në Gjirin e Lalëzit, në Palasë si dhe në Ksamil.

Gjatë këtij sezoni turistik, do të angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe në total 1.635 punonjës policie, nga të cilët 362 punonjës policie të sektorit të rendit publik, 73 punonjës policie sektori për krimet, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të Njësive të SOS, si dhe 912 punonjës policie të kufirit dhe migracionit.

Ministri Balla përmendi si një sfidë e madhe që duhet fituar, monitorimin dhe parandalimin e ndotjes akustike.

Gjithashtu, do të merren masa për reduktimin e kohës së mbërritjes të policisë, urgjencës dhe forcave zjarrfikëse në vendngjarje.

Ministri Balla njoftoi gjatë kësaj konference se gjatë periudhës 1 maj-30 shtator dhe 1 nëntor-28 shkurt, nuk do të ketë asnjë kontroll të pasaportave dhe kartave të identitetit për shtetasit e të dy vendeve Shqipëri-Kosovë.

Ai shtoi se po punohet gjithashtu për rishikimin e protokolleve për pikat e tjera kufitare me Kosovën (Valbonë dhe Shishtavec), për të lehtësuar turizmin dhe shkëmbimet e ngushta mes dy vendeve.

TRT Balkan / agjencitë