Stërvitja më e madhe ushtarake dimërore “Sfida e Përbashkët 23” po mbahet në Mal të Zi. Në këto ushtrime marrin pjesë gjithsej 250 pjesëmarrës nga pesë shtete. Siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, gjatë dy javëve të ardshme pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi, Austrisë, Maqedonisë së Veriut, ShBA-së, Italisë, si dhe pjesëtarë të NATO-s për luftë malore gjithandej rajonit të Kolashinit, veçanërisht në zonën e masiveve malore përreth, do të ushtrojnë operacione sulmuese dhe kërkim-shpëtimi, ndërsa komandat do të përmirësojnë proceset e vendimmarrjes ushtarake.
Në ceremoninë e hapjes së stërvitjes në kazermën “Breza”, komandanti i Batalionit të Parë të Këmbësorisë së Ushtrisë së Malit të Zi, nënkolonel Millosh Gaçeviq, theksoi se kjo është hera e parë që një stërvitje ushtarake ndërkombëtare e këtij kapaciteti po organizohet në territorin e Malit të Zi në kushte dimërore.
“Qëllimi i kësaj stërvitjeje është të rrisë nivelin e ndërveprueshmërisë dhe aftësive të njësive dhe komandave tona, aleate dhe partnere gjatë kryerjes së detyrave në fushën e luftës malore”, tha Gaçeviq.
Ai theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që stërvitja, përveç ushtarake, të ketë edhe karakter civil dhe se kjo ka rëndësi të madhe për mbështetjen e ardhshme të institucioneve civile.
Shefi i Kontrollit të Stërvitjes (ExCOn), Koloneli i Forcave të Armatosura të Austrisë, Bernd Roth tha se ekspertët austriakë të luftës malore kontribuojnë në stërvitje në disa mënyra dhe se një nga fokuset e trajnimit është lëvizshmëria në kushtet e dimrit.
"Ndërveprimi i forcave shumëkombëshe është një faktor kyç që ne duam të arrijmë, si dhe mirëkuptimi i ndërsjellë. Sepse, në fund të fundit, ushtarët e kombeve të ndryshme ndiejnë të njëjtin të ftohtë dhe durojnë të njëjtat vështirësi. Kur e ndajnë atë, ata zhvillojnë jo vetëm aftësi taktike, por edhe miqësi”, tha Roth.